Reagon edhe Blinken: Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri

Aktuale

Reagon edhe Blinken: Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri

Më: 26 maj 2023 Në ora: 19:15
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka dënuar ashpër aksionin e Policisë së Kosovës në veri.

Në një reagim në Twitter Blinken i ka bërë thirrje Kurtit të ndalojë menjëherë këto veprime që ai i ka quajtur “masa të dhunshme” dhe të ripërqendrohet në dialog.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”.

Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat