Shtetet e QUINT-it kanë reaguar në lidhje me zhvillimet e sotme në veri të vendit, duke dënuar fillimisht vendimin e Kosovës për “të detyruar” hyrjen në ndërtesat e komunave. Ndërkohë, në reagimin e tyre janë shqetësuar edhe për vendimin e Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së ushtrisë së saj.
Në një komunikatë të përbashkët të Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretësisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është bërë thirrje Kosovës që të menjëherë të tërhiqet dhe “të koordinohet ngushtë me EULEX dhe KFOR”.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, QUINT ka dënuar edhe sulmet ndaj EULEX në Zveçan.
Këto shtete kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe për vendimin e Serbisë që ta ngrisë nivelin e gatishmërisë të Forcave të saj të Armatosura, duke bërë thirrje për “përmbajtje maksimale”.
“Ne jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse.” – thuhet në fund të komunikatës.