Edhe gjenerali shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, ka reaguar për tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Ai ka pyetur nëse sekretari amerikan Antony Blinken, me përkëdheljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, po don ta dërgojë Kosovën në luftë, përcjell Bota sot.
“Blinkeni, me përkëdheljen e Serbisë në krye me kriminelin Vuçiq po e dirigjon Kosovën drejtë një lufte të re ballkanike?”, ka shkruar Maralusha në një postim në Facebook.
Në reagimin e tij, Blinken ka dënuar fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës, për atë që e ka quajtur “përshkallëzim të tensioneve në veri të vendit”.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Blinken në një postim në Twitter.
Kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kanë arritur të futen dje në zyrat e tyre, me asistim të Policisë.
Grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë protestuesit, të cilët hodhën gurë në drejtim të policisë dhe dogjën disa makina. Ndaj këtyre zhvillimeve kanë reaguar menjëherë ndërkombëtarët.