Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha dorëheqje nga pozita e të parit të partisë në pushtet, asaj Përparimtare Serbe, të shtunën. Si pasardhës, ky propozoi ministrin e Brendshëm të Serbisë, Millosh Vuçeviq.
E ndonëse në kësi procesi partiak, Vuçiqi gjeti kohë të flasë për Kosovën, në veçanti për situatën e krijuar në veri, një ditë më parë.
“Ajo që do të jetë vështirësia më e madhe në periudhën e ardhshme është Kosova, pothuajse të gjithë njerëzit tanë, që është dashur të marrin pjesë në këtë takim, sot janë në Kosovë dhe është një situatë e vështirë. Synimi i këtyre të Perëndimit është që të dalim gjoja me një komunikatë kundër tyre, që në fakt duhet të pajtohemi me atë që quhet realiteti i ri”, tha Vuçiqi.
Prej mbledhjes së partisë, i pari i shtetit serb “siguroi” po ashtu se qytetarët e komunave veriore të Kosovës gjatë kësaj kohe s’do të rrinë urtë.
“Rezistenca e popullit serb sigurisht që do të jetë gjithnjë e më e fortë dhe më e fuqishme, shpresoj me mjete paqësore dhe demokratike. Nëse ata sulmohen ose në ndonjë mënyrë tjetër, jam i sigurt se serbët do të mbrohen”, shtoi ai.
Ndërkohë, për situatën në veri, në orët e paradites së sotme në Beograd u mblodh edhe Këshilli për Siguri Kombëtare. Aty u tha se forcat e armatosura të Serbisë mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.