Kraki ‘shpërthen’ keq ndaj opozitës pas reagimeve për veriun: E gërditshme, të injorohen ata që e tradhtuan Kosovën!

Aktuale

Kraki ‘shpërthen’ keq ndaj opozitës pas reagimeve për veriun: E gërditshme, të injorohen ata që e tradhtuan Kosovën!

Nga: A.M. Më: 30 maj 2023 Në ora: 11:03
Profesori në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki

Profesori në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, ka komentuar zhvillimet e fundit në veri dhe kritikat që BE dhe SHBA po ia bëjnë Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimet për këtë pjesë të vendit.

Përmes një postimi në Facebook mbështeti veprimet e institucioneve të Kosovës, derisa tha se është e padrejtë dhe që veriu të përdoret si mjet politik për forcimin e pushtetit të Vuçiqit.

Gjithashtu, Kraki kritikoi ashpër opozitën për qëndrimet e saj dhe ata që mendojnë se për funksionimin e komunave brenda Kosovës duhet të merret leja nga Beogradi.

“Ata që ende e kujtojnë me nostalgji kohën kur në veri bëhej biznes me bandat dhe « investohej për Kosovën », siç do thoshte ndonjë gazetarë gurthyes, duhet të injorohen për të mirën e Kosovës. Duhet të injorohen edhe ata që për 20 vjet rresht e kanë serbizu veriun dhe gjithë Kosovën duke e tradhtuar edhe idealin që kishin para se të bëheshin milionerë”, shkroi ndër të tjera profesor Kraki, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

E vërteta duhet të thuhet. Duhet t’u thuhet edhe aleatëve kur është nevoja. Sepse është totalisht e padrejtë dhe kundër produktive që veriu i Kosovës të përdoret si mjet politik për forcimin e pushtetit të Vuçiqit në Beograd. Sabotimi i shtetësisë së Kosovës, 24 vite pas luftës, nuk mund të pranohet si diçka normale apo si lëshim «gjeostrategjik » ndaj Serbisë me shpresën absurde të ndarjes së saj nga Rusia.

Në realitet asnjë hap apo veprim i Serbisë nuk është provuar si pro perëndimor deri tash. Ishte dhe mbetet satelit rus. Ishte dhe mbetet origjina e masakrave dhe barbarive në Ballkan prej 1912 deri në 1999. Ishte dhe mbetet sabotuesja dhe kërcënuesja më e madhe në Ballkan, me fuqi destabilizimi në Kosovë, Bosne e Mal të Zi.

Madje edhe marrëveshjet e fundit i dhunon pa u mërzit as për Amerikën as për Evropën, të dyja këto të zëna ngushtë me luftën e Ukrainës.

Po aq i padrejtë dhe madje edhe i gërditshëm duket qëndrimi i opozitës dhe i disave në Kosovë të cilët ende mendojnë që për funksionimin e komunave brenda Kosovës duhet (edhe në vitin 2023) të merret leja nga Beogradi. Une e di që shumë nga ta hallin e vërtetë e kanë në jug e jo në veri sepse më i dëmshëm për ta dhe krimin e tyre ekonomik është « pushtimi i Prishtinës » nga Albini sesa kontrollimi i veriut nga Vuçiqi.

Ata që ende e kujtojnë me nostalgji kohën kur në veri bëhej biznes me bandat dhe « investohej për Kosovën », siç do thoshte ndonjë gazetarë gurthyes, duhet të injorohen për të mirën e Kosovës. Duhet të injorohen edhe ata që për 20 vjet rresht e kanë serbizu veriun dhe gjithë Kosovën duke e tradhtuar edhe idealin që kishin para se të bëheshin milionerë.

Tash, a na duhet neve Amerika? Po, si oksigjeni për frymëmarrje. Por a i mjafton vetëm oksigjeni një trupi për të funksionuar normalisht? Jo!

Atëherë, as mbështetja evropiane e as oksigjeni amerikan nuk na duhen nëse Kosova gjymtohet në esencën e trupit të saj shtetëror e kushtetues. Në fakt, nuk ka gjë më pozitive për imazhin dhe interesat afatgjata amerikane në Ballkan sesa një Kosovë e fortë dhe e suksesshme. Fuqizimi i Serbisë ka qenë gabim historik në fillim të shekullit 20 dhe përsëri do jetë gabim nëse vazhdohet kështu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat