“Marrëveshja e Ohrit ishte si garancë që Serbia mos ta pengojë Kosovën”

Aktuale

“Marrëveshja e Ohrit ishte si garancë që Serbia mos ta pengojë Kosovën”

Më: 30 maj 2023 Në ora: 11:51
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

Dita e premte ka rikthyer destabilizimin dhe situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Fillimisht me lëshimin e alarmeve, pastaj me grupimin e disa qytetarëve serbë që ishin mbledhur para ndërtesave komunale në veri të Kosovës për ta penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre, për të vazhduar me përleshjet, gazin lotsjellës dhe shok- bomba nga ana e policisë së Kosovës për ta shpërndarë turmën, ndërtesat komunale në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë me policë.

Epilogu i ditës së premte nuk ka mbaruar me kaq, atje gjithashtu janë djegur dhe sulmuar veturat e policisë së Kosovës, ndërsa nuk ka munguar as lëndimi i tyre.

Sipas policisë së Kosovës, pesë policë janë lënduar në Zveçan nga protestuesit.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Mirëpo, përkundër përleshjeve e të gjithave, kryetarët u vendosën në zyrat e tyre dhe sipas njohësve të sigurisë, kjo situatë është paralajmëruese se ata do ta kenë të vështirë ta ushtrojnë funksionin e tyre.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se situata është paralajmërim për kryetarët.

Sipas tij, bota është e shqetësuar për shkak të asociacionit.

“Situata konfliktuoze që po mbretëron qysh nga paslufta e deri më tani në veriun e katër komunave serbe të Mitrovicës, është shqetësuese e sidomos që tani e mbi 23 vite po vazhdon situatë e ngjashme me plot konflikte. Pas dorëheqjeve të zyrtarëve serbë, të gjyqtarëve, prokurorëve, policisë, kryetarëve të komunave dhe të tjerë zyrtarë, është dashur të caktohen zgjedhje të jashtëzakonshme për të cilat zgjedhje në afatin e parë serbët i bojkotuan ato zgjedhje, pas një kohe u caktuan zgjedhjet e radhës dhe prapë shumica serbe nuk merr pjesë në ato zgjedhje e që të tjerat kombe morën pjesë si shqiptarët, disa serbë, boshnjakë, romë dhe të tjerë. Është e kuptueshme se edhe që i bojkotojnë disa parti zgjedhjet ato me aq pjesëmarrës duhen të mbahen ato zgjedhje se nuk ka pasur mundësi që institucionet e atij vendi, të atyre komunave të mbesin pa udhëheqës të atyre institucioneve. Këto zgjedhje i fituan partitë shqiptare, dhe ato të parët këto ditë e dhanë betimin si kryetar të katër komunave të veriut të Mitrovicës. Pas dhënies së betimit pati konflikte serioze si më parë, ku një numër i konsiderueshëm i automjeteve të rënda i bllokuan rrugët, dhe një numër i konsideruar serbe rezistuan duke shkaktuan dhunë ndaj policisë dhe duke ua futur flakën disa automjeteve të policisë, si reagim i dhënies së betimit te kryetarëve te ri ne ato komuna ku ne disa komuna tani ishin duke value flamujt e Kosoves e jo si deri me pare ata të Serbisë. Dhuna e përdorur ishte e dirigjuar nga ata serb sikur deri me tani që i kanë dirigjuar dhe që kanë dhënë urdhëra për t’u krijuar ato konflikte sikur që është Radojçiqi, Veselinoviqi e të tjerë. Situata tani e krijuar gjithsesi është një paralajmërim se kryetarët e rinj do ta kenë të vështirë t’i ushtrojnë funksionet e tyre, por mos të harrojmë se për atë pjesë të territorit sovranitetin e saj e garanton KFOR-i, dhe situatën e kanë kuptuar e tërë bota, prandaj edhe jo rastësisht çështja e këtyre komunave si dhe situatës konfliktuoze ishte temë bisede e Senatit Amerikan këtyre ditëve, sepse marrëveshja e Ohrit ishte si garancë që Serbia mos ta pengojë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt pavarësimit të saj si dhe anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare, e që Kosova ta formojë Asociacionin për katër komunat serbe në përputhshmëri me kushtetutën e Kosovës, apo e ngjashme me Asociacionin kroat, e që Serbia nuk po pajtohet dhe po kërkon që të krijohet Asociacioni i ngjashëm me “Republika Srbska” të BH me kompetenca ekzekutive, gjë që për këtë situatë është e shqetësuar bota demokratike në krye me Amerikën dhe shtetet e BE dhe Anglinë, edhe që po kjo Serbi ishte shkaktarja e shume luftëve që i ka krijuar në të kaluarën si me Sllovenin, Kroacinë, Bosnjën, dhe Kosovën, e sidomos kur dihet se çfarë masakra të tëra ka kryer ndaj këtyre shteteve e posaçërisht ndaj shtetit të Kosovës”, deklaron Tërnava.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat