Musliu Shoshi: Kundër ShBA-së, Kosova pushon së ekzistuari!

Aktuale

Musliu Shoshi: Kundër ShBA-së, Kosova pushon së ekzistuari!

Më: 30 maj 2023 Në ora: 19:38
Ariana Musliu Shoshi

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e fundit të Ambasadorit të SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

Musliu Shoshi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova pa SHBA-në, pushon së ekzistuari dhe se Qeveria Kurti po i cenon raportet me aleatët e saj e në veçanti me SHBA-në.

Tutje, ajo ka thënë se Kurti këto ditë ka arritur ta bëjë atë që Serbia do të jepte miliarda euro, fushata e vite të tëra e përsëri s’do të arrinte ta bënte.

Ajo ka kërkuar nga Kurti dhe Qeveria e tij që të japin dorëheqje dhe Kosova të formojë një qeveri teknike që e nxjerr nga kjo situatë.

Postimi i plotë:

Kosova meriton më shumë e meriton më mirë! Kosova përkrahë ShBA-së rrugëton si shtet. Kundër ShBA-së, Kosova pushon së ekzistuari!

Kjo qeverisje, e udhëhequr nga Albin Kurti & co., në mënyrën më të rrezikshme po i cënon raportet e Kosovës me të gjithë aleatët e saj – e veçanërisht, me ShBA-në. Në emër të shtrirjes së sovranitetit, Kurti po e de-legjitimon në tërësi shtetësinë e Kosovës.

Vetëm në ditët e fundit, Albin Kurti dhe kllika e tij kanë arritur ta bëjnë atë që Serbisë do t’i duheshin miliarda euro fushata e vite të tëra, e përsëri s’do ta arrinte: prishjen e aleancave strategjike të Kosovës dhe sanksionimin e kësaj të fundit.

Albin Kurti sillet sikur të ishte kryeministër i një superfuqie nukleare. Albin Kurti jo aq ngadalë, por shumë sigurtë, po i zhbën të gjitha investimet që lidershipi kosovarë i ka bërë që nga fillim-vitet ’90.

Albin Kurti gjithnjë ka qenë i pozicionuar gabimisht: si në Rambuje, si në negociata të Vjenës, si karshi Pakos së Ahtisaarit, si në shpalljen e pavarësisë! Albin Kurti me politikat e tij, më së miri po i shkon për shtati politikës serbe!

Albin Kurti dhe qeveria e tij duhet që sot të japin dorëheqje! Kosova duhet menjëherë të formojë një qeveri teknike, e cila na nxjerrë nga kjo katrahurë! Aventura të tilla nuk duhet të tolerohen as edhe një moment më shumë!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat