Ambasadori amerikan deklarohet pas takimit me Kurtin: S’dua ta përdori fjalën “sanksione” – janë veç pasoja

Aktuale

Ambasadori amerikan deklarohet pas takimit me Kurtin: S’dua ta përdori fjalën “sanksione” – janë veç pasoja

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 15:43 Përditësuar në ora: 16:56 më 01.06.2023
Jeffrey Hovenier dhe Albin Kurti

Hovenier kërkesë Kurtit: Kryetarët të punojnë në lokacione alternative – policia të tërhiqet nga ndërtesat

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur kërkesat e ShBA-së që tre kryetarët e komunave në veri të punojnë nga një lokacion alternativ.

Ai tha se këto qëndrime ia ka përsëritur kryeministrit të vendit, Albin Kurti, gjatë takimit të sotëm me të.

“Ia përsërita qëndrimin e qeverisë amerikane dhe hapave urgjent që duhet marrë për të shtensionuar situatën atje.  Ajo që ne besojmë se do ta shtensiononte situatën nuk është sekrete dhe kjo është tre kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative dhe të shihet tërheqja e policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale”, tha Hovenier.

Tutje, ai tha se me Kurtin folën edhe për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes bazë dhe zbatimin e aneksin për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“SHBA-të do të vazhdojë të inkurajojnë Qeverinë e Kosovës në mënyrë aktive dhe aq sa mundemi për të ndihmuar në arritjen e një shtensionimi dhe siç e keni parë në deklaratat tona publike, ne po kërkojmë gjithashtu që qeveria e Serbisë të ndërmarrë hapa për të ndihmuar për të arritur një situata edhe në veri të Kosovës”, tha Hovenier

Hovenier takohet me Kurtin: Po mendojmë si ta inkurajojmë Kosovën ta bëjë atë që duhet

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se SHBA-ja “po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës” ta qetësojë situatën në veri.

I pyetur për sanksionet potenciale që mund t’ia vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë [këtë situatë] që të mos ketë pasoja të tjera”.

“Nuk jam në pozitë të them [cfarë mund të jenë pasojat e tjera]. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.

Ai shtoi se i takon Qeverisë së Kosovës ta bëjë këtë gjë, dhe jo SHBA-së.

Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se "stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund" për Kosovën.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”./REL

Ambasadori amerikan takon Albin Kurtin

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shkuar në Qeverinë e Kosovës për takim me kryeministrin Albin Kurti.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, përparim Kryeziu, i cili tha se është takim i rregullt javor.

I pyetur nëse takimi po ndodh për shkak të situatës në veri të Kosovës, Kryeziu u përgjigj shkurt se është takim javor.

“Po, është takim i rregullt javor”, tha Kryeziu.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat