Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës.
Macron tha se për një gjë të tillë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti francez i bëri këto komente në një samit evropian që po zhvillohet në Kishinjev të Moldavisë.
Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav
Më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë me presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz si dhe si dhe përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell. Takimi u zhvillua në margjinat e një samiti evropian që po mbahet në Kishinjev të Moldavisë.
Presidentët e Kosovës dhe Serbisë këmbëngulën të enjten se duan të zbutin një krizë të dhunshme në veri të Kosovës, por treguan pak shenja të tërheqjes nga pozicionet e tyre kundërshtare./REL