Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri vlerëson se situata e krijuar javën e fundit në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, është dashur të evitohet me çdo kusht.
Sipas tij, nëse kryetarët e zgjedhur në këto komuna “mendojnë se kanë legjitimitet, ky është gabimi më i madh”.
Po ashtu, Haziri theksoi se është dashur të evitohet prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në përcjellje të kryetarëve të zgjedhur.
“Evitimi ka mundur të ndodh çdo situatë, tani e sheh në praktikë si ka me na ndodh të hënën. A kaloi krejt kjo javë, ose ky 10 ditësh po kalon me trauma, me pasoja dhe me një imazh seriozisht të dëmtuar për neve. Të hënën ti nuk i ki prapë kryetarët e komunave në zyre…nëse e vlerësojmë sot me kokë të ftohur pse serbët nuk reaguan kur në Mitrovicën e Veriut bëhet betimi solemn në institucione, në objekt, dhe në objektet tjera, është dashtë me dit që kjo është e planifikuar, e koordinume me dikë. Dhe kjo punë, e sidomos ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, edhe disa ambsadorë të BE kanë punuar më shumë se 10 ditë, që me i njoftu publikun, me njoftu shumicën shqiptare në veçanti që kryetarët e rinj janë kryetarë teknik…sepse ata kanë ndërmjetësuar në këtë atmosferë…Qeveria jonë e ka ditë, sepse kanë qenë shumë më të informuar se të gjithë ne për këtë situatë”, deklaroi ai.
“Se nuk jena tu qu guvernator atje”, shtoi Haziri.
Që nga e premtja e javës së kaluar, situata në veri është tensionuar, pas protestave të qytetarëve serbë, të cilët kanë kundërshtuar shkuarjen e kryetarëve të rinj të zgjedhur në objektet e komunave në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.