Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë seancës plenare në Kuvend, tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kultivuar një mosbesim të vazhdueshëm tek aleatët e Kosovës, veçanërisht tek Amerika.
Madje, Haradinaj e quajti Kurtin “sinonim të poshtërimit deri në pabesi”.
“Nga qeverisja e Kurtit në Kosovë po ndodhë mosbesim deri në pabesi, jo befasi. Në vazhdimësi, Kurti e ka kultivuar një mosbesim në aleatët e Kosovës, veçanërisht në ata të sigurisë dhe në garantin tonë kryesor të sigurisë, që është Amerika. Ky mosbesim i Kurtit, deri në pabesi, po ndodhë si qeveri e një vendi dhe rezultat i këtij mosbesimi të mbjellur nga Kurti, po ndodhin ndëshkimet nga aleatët tanë. Kryeministri Kurti sot është sinonim i poshtërimit deri në pabesi. E kemi edhe një element, mashtrimin, por deri në tradhti”, deklaroi Haradinaj në Kuvend gjatë diskutimit për tensionimet në komunat veriore.
Njëherit, Haradinaj deklaroi se Kurti ka poshtëruar edhe të gjitha figurat e vlerat e krijuara me mund.
“Disa prej tyre i ka marrë me vete i ka përvetësuar, për ta fuqizuar konceptin e vet të poshtërimit”, shtoi tutje Haradinaj.