Seanca e së premtes në Hagë, në çështjen ndaj Pjetër Shalës po vazhdon me dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit të shtatë (me kodin 1), i cili po përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Shalës në sesion privat.
Pas pushimit të drekës, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka dhënë disa udhëzime për avokatin mbrojtës dhe dëshmitarin.
E njëjta iu drejtua avokatit me “mund t’i bëni pyetje dëshmitarit, por mos filloni me fjalët ‘e vërteta është se’, se kjo e huton dëshmitarin”.
Po ashtu, ajo tha që të mos kërkohet të nxjerret dëshmia e dhënë tashmë, në mënyrë që të shmanget përsëritja e dëshmisë.
Kurse, dëshmitarit i tha që avokati në vend që t’iu lexojë deklarata dhe t’iu bëjë pyetje të ndryshme, ai do japë versionin e vet të ngjarjes dhe se për këtë i takon trupit gjykues të vendos më pas, por që dëshmitari më pas ka të drejtë që të reagojë ose të thotë se e ka diskutuar atë apo atë temë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, Shala është duke e ndjekur edhe këtë seancë përmes video-lidhjes. Seanca po vazhdon në sesion privat.