Deputetja Alicia Kearns, para deputetëve të parlamentit britanik, foli për situatën e krijuar së fundmi në veri të Kosovës.
Kearns tha se ShBA-ja dhe BE-ja kanë bërë gabim që e kanë kritikuar Kosovën për situatën e tensionuar në veri e jo milicët e armatosur që e krijuan atë situatë.
“Është e gabuar që ShBA-ja dhe BE-ja zgjodhën të sulmojnë Kosovën pa kritika ndaj milicëve të armatosur që krijuan situatën dhe në mënyrë demokratike mbajtën peshën kryesore të shkopit të tyre.
Së dyti, çfarë kundërmasash po vendosim ndaj Beogradit? Sepse për momentin duket të jetë një dështim i diplomacisë parandaluese. Si ndryshon politika jonë nga ShBA-ja dhe BE-ja? Sepse ne jemi shumë të heshtur për atë që po ndodh tani”, ka thënë Kearns.
Sipas Kearns kryetarët e zgjedhur në komunat veriore u përpoqën të marrin detyrën në mënyrë jo të dhunshme.
“Dua të vendos këtu kontekstin se Kosova nuk është Serbi, por në fillim të këtij viti Beogradi orkestroi një bojkot të zgjedhjeve demokratike. Javën e kaluar kryetarët e zgjedhur të komunave u përpoqën të merrnin rolet e tyre, jo në mënyrë të dhunshme, ajo u bë e dhunshme për shkak të dhunës së orkestruar rreth zyrave të komunave. Më pas ne pamë dhunë të orkestruar në rrugë nga milicia e financuar dhe e armatosur nga Beogradi kundër KFOR-it dhe policisë, aty kishte kokteje molotovi, kishte të shtëna me armë kundër tyre, kishte vetura të djegura të policisë. Pra, ju lutem, mund të pyes mikun tim të nderuar, pse pati një përgjigje kaq joproporcionale dhe të pabalancuar nga aleatët tanë?”, ka shtuar ajo.
--------------------------
Minsitri britanik i përgjigjet kritikave të deputetes Kearns për Kosovën
Në debatin për situatën e krizës në veri të Kosovës në Parlamentin britanik, deputetja konservatore Alicia Kearns ka hedhur ktiika të ashpra ndaj shtetit britanik, por edhe ndaj aleatëve perëndimorë për qasja disproporcionale ndaj Kosovës dhe “milicisë së armatosur”, që ajo ka thënë se sponsorizohet nga Beogradi.
“Është gabim që SHBA-ja dhe BE-ja zgjedhin që ta sulmojnë Kosovën pa kritikë ndaj milicisë së armatosur, e cila e krijoi situatën”, ka thënë deputetja Kearns në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe.
Ndërkaq, ministri i Shtetit në Zyrën së Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit në Britaninë e Madhe ka thënë se njeh ekspertizën e Kearns për situatën në Kosovë.
Ai ka shpjeguar veprimet dhe qëndrimin e Britanisë së Madhe për situatën e tensionuar në Kosovë.
“Më 18 maj së bashku me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë e BE-në, ne kërkuam që për punën e komunave në veri të gjendet një zgjidhje afatgjate. Paralajmëruam kundër përdorimit të forcës apo veprimeve që mund të rrisin tensionet. Më 26 maj shprehëm shqetësimin për vendosjen me forcë të kryetarëve në objektet e komunave, si dhe veprimit të Serbisë për të rritur gatishmërinë e forcave ushtarake rreth kufirit të Kosovës. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të largojë Njësitet Speciale të Policisë nga komunat, e kryetarët të ushtrojnë detyrat nga lokacione alternative. Emisari Sir. Stuart Peach ka vizituar Kosovën më 30 maj, është takuar me krerët e institucioneve atje dhe po ashtu me komandantin e KFOR-it”, ka theksuar Mitchell.
Ai ka deklaruar se ka angazhime konkrete të Britanisë së Madhe për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.