Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka befasuar dhe fyer partnerët me veprimet në veri sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka vlerësuar ish -shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, në Qeverinë Haradinaj, Avni Arifi.
Sipas tij, reagimi e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken e ka dëshmuar këtë.
Ai ka thënë se Kurti ka humbur besimin e SHBA-së dhe do ta ketë të vështirë për ta kthyer atë.
“Blinken reagon vetëm kur ndihet i fyer dhe kanë qenë tepër të fyer me veprimet e ti (Kurtit), kanë qenë të befasuar dhe nuk e kanë pritë këtë veprim”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti ka humbur besimin e BE-së dhe SHBA-së dhe do ta ketë të vështirë kthimin e tij.
“Pozicioni jonë në raport me ndërkombëtarët nuk ka qenë më i dobët”, tha ai.
Ish-diplomati kosovarë, ka thënë se Kosova duhet të bëjë negociata me BE-në e SHBA-në për Asociacionin, pasi sipas tij, Serbia nuk do të pranojë asnjë propozim që vije nga Kosova.
“Çfarë dush Asociacioni që bënë Kosova , Serbia nuk e pranon…Shqetësimi im është ku jemi ne në raport me bashkësinë ndërkombëtare , a jemi ne faktor stabiliteti, a jemi partnerë të besueshëm”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovës nuk ka ndryshuar. Arifi ka thënë se Kurti e Osmani po dalin qesharak kur para zyrtarëve amerikanë po flasin për qëllimet e Vuçiqit, duke thënë administrata aktuale e SHBA-së ka njerëz që kanë shumë njohuri për Kosovën dhe rajonin.
“Vizioni i SHBA-së ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar… Nuk besoj që do të ketë administratë të SHBA-së që ka njëerëz që kanë aq shumë njohuri për Kosovën sa ka kjo e tanishmja. Ne kemi ndryshuar, po medojmë që mundemi vet me ba veprime, mundemi vet mi zgjidh problemet tona”, tha ai.