Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, tha se në rast që Qeveria nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, as pezullimi i liberalizimit të vizave nuk është i pamundur për bashkësinë ndërkombëtare.
“Sanksionet plus që do t’i marrë në rast që nuk operon dhe bashkëpunon me bashkësinë ndërkombëtare për problemet e saj të brendshme dhe mosmarrëveshjet me Serbinë, do të ishin lajme shumë të këqija qoftë për ekonominë e Kosovës, për qytetarët e saj në kuptimin që pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte një ndëshkim i cili nuk e kanë merituar qytetarët e Kosovës, nuk do ta meritonin në rast se ndodh për shkak të këtyre raporteve të keqësuara politike midis kryeministrit Kurti dhe Unionit Evropian dhe SHBA-ve”, tha Sadiku.
Ai tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare siç janë Unioni Evropian dhe OKB-ja, ndërsa sipas tij, pa pasur bashkëpunim dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare, është shumë e vështirë që Kosova të jetë pjesë e këtyre dy organizatave.
“Asgjë nuk është e pamundur për bashkësinë ndërkombëtare, pasi që Kosova tashmë është një vend, i cili ende nuk e ka të përmbyllur tërësinë e vet. Realisht po bën përpjekje të vazhdueshme për afirmimin e shtetësisë së saj në aspektin ndërkombëtarë dhe kyçjen në organizata ndërkombëtare siç është Unioni Evropian dhe OKB dhe pa pasur një mbështetje dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare është shumë e vështirë që të pritet që Kosova të jetë pjesë e këtyre organizatave”, tha Sadiku.