Kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Fehmi Kupina nga sot do të veproj si i pavarur në detyrën e tij.
Kupina ka dhënë dorëheqje nga LDK pas seancës së sotme komunale.
Në adresimin e tij, Kupina ka thënë se është në shërbim të qytetarëve dhe asnjëherë të ndonjë subjekti politik.
Të nderuar qytetarë,
"E ndjej obligative të sqarohem sot në lidhje me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në respekt të të gjithë atyre që më besuan përfaqësimin. Ky besim për mua është i shenjtë dhe me ta marrë, jam munduar ta kuptoj drejt dhe të sillem konform tij dhe detyrës që pastaj më është dhënë si Kryesues i Kuvendit.
Në përputhje me Rregulloren e punës së Kuvendit dhe të Komiteteve, në pajtim me Ligjin dhe Statutin e Komunës, unë kam thirrë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit. Siç dhe përcaktohet në këtë nen, anëtarët e Kuvendit janë njoftuar për kohën, datën dhe vendin e mbajtjes së mbledhjes, si dhe rendin e ditës, brenda afateve kohore që kërkohen.
Përtej obligimeve që si Kryesues të përmbushë kërkesat ligjore që mundësojnë mbajtjen e seancës, në funksionin që më është besuar, unë nuk jam në shërbim të një partie por të të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve pa dallim. Çdo sjellje ndryshe do të ishte denigrim i pozitës dhe besimit të këtij funksioni. Prandaj, thirrja e kësaj seance s’është asgjë më pak e as më ndryshe sesa shërbim ndaj kryeqytetit dhe qytetarëve të tij, që më vullnet të lirë na kanë zgjedhur secilin t’i përfaqësojmë.
Unë në asnjë moment e as nga kurrfarë funksioni, s’mund të lejojë që ligjet, rregulloret e procedurat që i kemi vendosur e votuar vetë, t’ia nënshtrojë nevojave apo tekeve të një partie apo koalicioni. Çdo veprim i imi selektiv në këtë drejtim, është tjetërsim i funksionit dhe vullnetit qytetar.."-shkruan mes tjerash ai.