Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka dalë hapur kundër propozimit të draft-statutit të Asocacionit të propozuar nga kryeministri Rama dhe që pretendon të çojë para dialogun Kosovë-Serbi.
Ai deklaroi se nuk ka nevojë që kryeministri të shqetësohet për Kosovën sepse ka njerëz të tjerë që mund ta bëjnë këtë, ndërsa e ka cilësuar Ramën si mik të Vuçiç.
“Rama nuk duhet ta merrte mundimin të hartonte një draft për arsye se unë personalisht si deputet i Republikës nuk kam parë asnjë reagim të zotit Rama sa i përket bandave kriminale të Vuçiçit në veri. Për shkak se mendoj që reagimi duhet të vijë sipas prioriteteve që i ka Kosova në këtë rast. Nuk kam dëgjuar asnjëherë t’ia ngrejë si shqetësim mikut të tij Vuçiç problemin e të pagjeturve e besoj ky do të ishte më shumë një prioritet për zotin Rama se Asociacioni. Për më tepër Kosova ka 39 marrëveshje ku 2/3 e tyre nuk respektohen nga Serbia dhe prandaj Asociacioni është vetëm 1 nga këto marrëveshje,” – u shpreh Basha.
Ndërkohë, moderatorja Sidorela Gjoni insistoi të kuptonte se përse deputeti ishte kundër një drafti që as nuk e kishte parë ende, ose përse ai dilte me pretendimin se nuk i takon Ramës të merret me këtë çështje, kur nuk po bëhet fjalë për kryeministrin e Spanjës, por të Shqipërisë dhe rrjedhimisht një angazhim i tiji është i kuptueshëm.
“Bën sens që kryeministri i Shqipërisë të flasë për Kosovën, por jo të draftojë statute që ne i kemi përsipër dhe po merremi me të. Nëse ai ka prioritet shqiptarët dhe diskriminimin e shqiptarëve, atëherë le të draftojë një statut për një Asociacion për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës të cilët diskriminohen dhe spastrohen etnikisht për çdo ditë,” – u shpreh Basha.