Për temat më të nxehta politike e kishte vendosur të mos flasë.
Andaj, kryeministri Albin Kurti kur u pyet për draftin e asociacionit që Edi Rama e dorëzoi në Francë e Gjermani, i këshilloi gazetarët të shikojnë ekspozitën që u hap në 145 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Por, as ky vet nuk e pati krejt mendjen të ekspozita pasi shumicën e kohës zgjodhi të flasë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, para se t’i shihte gjërat që u ekspozuan.
Vëmendjen nga diskutimi me të ia mori pak flija që e shijoi me goxha të qeshura.
Përgjigje ndaj çështjes së draftit nuk dhanë as Vjosa Osmani e Bajram Begaj. Krejt çka deklaruan ndaj interesimit të gazetarëve për temën ishte “urime”.
Për dallim nga krejt këta, kryeparlamentari Glauk Konjufca vendosi t’u përgjigjej gazetarëve e edhe të tregojë që e kundërshtojnë draftin e kryeministrit Rama për Asociacionin, ndonëse ende nuk e di çka ka në të.
Bile, sipas Konjufcës, ajo çka bëri Rama është veprim padakorduar.
E kur foli për partneritetin me Amerikën e aleatët e tjerë të Kosovës, kryekuvendari tha se institucionet e shtetit po punojnë që situata e krijuar, pas ngjarjeve në veri të vendit, të tejkalohet.