Fshatin e saj të lindjes, e viziton shpesh.
Por, kujtimin më të rëndë të jetës e ka pikërisht në këtë rrugë të Lybeniqit.
Këtu Elhame Aradini, për herë të fundit e pa të gjallë babanë Ademin.
Kjo pasi mëngjesin e 1 prillit të vitit 99, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, hynë në këtë fshat të Pejës.
Pasi i nxorën me dhunë banorët nga shtëpitë, burrat e fshatit i mblodhën në këtë vend.
Por, fillimisht një nga paramilitarët serbë, kishte një pyetje për ta.
E ai që mori guximin për t’u përgjigjur në emër të fshatit, ishte i moshuari, Adem Aradini.
“I kanë pyet gjithë fshatin se kush ju ka vra vitin e kaluar. Babai i ka çu dy gishtat dhe ka dal, edhe iu ka thënë; thënë policia (serbe) atëherë (Mrtvi) ja ktheu që vitin e kaluar ka qenë policia, tash jemi ushtria, policia dhe ne (paramilitarët) edhe në moment e kanë ekzekutuar babën, një karikator ju ka shpraz në trup” tregon Ardiani.
E ai që zbrazi karikatorin në trupin e Adem Aradinit, ishte Nebojsha Miniq, i njohur me nofkën “Mrtvi”.
Pamjen e tij, Elhame Aradini, nuk e ka harruar as pas më shumë se dy dekadave.
Por kush ishte komandant “Mrtvi”, që në shqip ka kuptimin “I Vdekuri”
“Ka qenë pjesëtarë i një njësitit special të policisë së Serbisë dhe ka fotografi edhe me Goran Radosavleviq “Guri”, që ka qenë udhëheqës i njësiteve speciale serbe. Ndërsa në vitin 99 ka pjesëtar i ushtrisë së Jugosllavisë edhe pse përmendet njësiti paramilitar “Çakallet” megjithatë ai njësit paramilitarë ka qenë pjesë e ushtrisë. Është dokumtuar që ky njësit, dukë përfshirë edhe Mrtvin, kanë qenë të paguar, kanë marrë pagë, nga ushtria e Jugosllavisë”, thotë Bekim Blakaj, Fondi për të Drejtën Humanitare.
I lindur në qytetin e Pejës, Nebojsha Miniq, kreu krime edhe në luftën e Bosnjës.
Atje, Miniq ishte pjesëtarë i gardës së kriminelit famëkeq, Zeljko Raznatoviç, Arkanit.
“Ai ka qenë pjesëtar edhe i gardës së Arkanit, në luftën e Bosnjës. Atje e ka marrë emrin “Mrtvi” (I Vdekuri), sepse në një moment në Pejë familja e tij ka marrë lajmin se është vrarë, kanë hapur edhe derën (të pamët) ndërsa më vonë ka ardhë i gjallë dhe nga atëherë e kanë quajtur “Mrtvi’”, shpreht Blakaj.
Natën e 12 qershorit të vitit 1999, njësiti paramilitar serb, “Çakallet” i formuar nga “Mrtvi” hynë me forcë në shtëpinë e Isa Balajt.
E në sallonin e saj, pa mëshirë ekzekutuan 7 anëtarë të kësaj familje, pesë prej tyre fëmijë.
Ai që arriti të mbijetonte ishte Veton Balaj.
Atëkohë vetëm 8 vjeçar, Vetoni kërceu nga ballkoni i shtëpisë kur paramilitarët serbë po i ndërronin karikatorët.
Por as pas dy dekadave, ky nuk e ka harruar se kush shtiu pa mëshirë drejt më të dashurve të tij.
E në këtë listë, nuk ka si të mungojë, emri i Nebojsha Miniq, “Mrtvi”-it.
Disa ditë pas këtij krimi, “Mrtvi” iku nga Kosova në drejtim të Malit të Zi e më pas në shtetin serb.
Pikërisht në Argjentinë, Nebojsha Miniq u arrestua për krime lufte.
Por, Mrtvi, nuk u përball kurrë më drejtësinë, meqë raportet e fundit thonë se ai vdiq nga SIDA, kur po bëhej gati për ekstradim në Serbi.