Pacolli: Presim përgjigje pozitive nga Borrell ndaj letrës së Kurtit

Aktuale

Pacolli: Presim përgjigje pozitive nga Borrell ndaj letrës së Kurtit

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 18:55
Fitore Pacolli

Lëvizja Vetëvendosje pret përgjigje pozitive ndaj letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar të martën përfaqësuesit të lartë për Politikë dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell të cilit i ka propozuar pesë hapa për tejkalimin e krizës në veri të Kosovës.

Deputetja e kësaj partitë Fitore Pacolli ka thënë se më këtë veprim nga Kurti i kanë ofruar një zgjidhje Bashkimit Evropianë, që sipas saj respektojnë plotësisht rregullin në demokraci.

“Kemi ofruar një zgjidhje përfaqësuesit të BE-së i kemi tregu që këta janë hapat të cilët respektojnë plotësisht rregullin në demokraci, pra vlerat e demokracisë janë këto. Po mendoj që ne do të marrim përgjigje pozitive sepse nëse Borrell përfaqëson Bashkimin Evropian i cili është ndërtu mbi vlerat e demokracisë do duhej që të mbështeste Kosovën në rrugën e saj”, ka thënë ajo.

Pacolli ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë se Njësia Speciale e Kosovës nuk mund të largohet nga objektet komunale në veri, pa u larguar grupet kriminale.

Ajo ka thënë se ka qenë e qartë se në protestat në veri nuk kishte vetëm qytetarë që kanë shprehu një paknaqësi, por aty ka pasur edhe grupe kriminale.

Sipas saj hapat e propozuar nga kryeministri Kurti janë rruga për integrim të minoriteti serbë në institucionet e Kosovës.

“Nëse dëshirojmë demokraci të mirëfilltë në Kosovë, nëse dëshirojmë integrim të minoritetit serbë në institucionet e Kosovës atëherë rruga për ta ndjekur është rruga me pesë hapat që ka propozuar kryeministri”, tha Pacolli.

Kurti të martën pas takimit me vendet e QUINT-it ka njoftuar se i ka dërguar një planë pesë pikësh shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe QUINT-it për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

“Pika e parë, EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejtë thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimin. Pika e dytë, grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Prania e Policisë në veri, do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat. Tre, Policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë. Katër, Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në veri. Dhe pesë, Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e Brukselit” tha Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat