Mësimdhënësi i arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin se ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur në Deçan, Valentin Selmanaj, sot do të dalë para gjykatës në lidhje me caktimin e masës së sigurisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.
“Seanca në lidhje me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit do të mbahet sot në ora 13:30”, ka thënë Zhuti.
Ndryshe ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Pejë ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj mësimdhënësit të dyshuar për dy vepra penale “sulm seksual” dhe “kanosje”.
Video e mësimdhënësit duke puthur nxënësen e klasës së shtatë, ishte publikuar me 12 qershor.
Mësimdhënësi është duke u dyshuar që ka sulmuar seksualisht një nxënëse në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan.
Sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, e dëmtuara ka deklaruar në stacionin policor se i dyshuari, V.S. e ka puthur në buzë dy herë, pa pëlqimin e saj.
Ndërsa i dyshuari, V.S. ka deklaruar në stacionin policor se e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, se e ka përkëdhelur dhe ja ka vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, e ka afruar te faqja.
I dyshuari e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.
Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V.S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë video-incizimin e rastit në fjalë.
Këtë të fundit, dosja e prokurorisë tregon se i dyshuari e kishte vërejtur se e kishte bërë video-incizimin dhe se i njëjti e kishte kanosur duke iu drejtuar me fjalët ‘’Ta shkatërroj edhe familjen’’.