Bulliqi thotë se tre nga të arrestuarit në Merdar janë të Podujevës

Aktuale

Bulliqi thotë se tre nga të arrestuarit në Merdar janë të Podujevës

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 11:53
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar të mërkurën se tre nga të arrestuarit nga autoritetet serbe në Merdar janë qytetarë të kësaj komune.

Ai ka thënë se sipas informacioneve që ka pranuar, atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

“Me shqetësim mora lajmin që tre qytetarë të Komunës së Podujevës janë arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar. Sipas informatave që kemi pranuar atyre ju është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Kurse, për motivet e arrestimit të tyre i pari i Podujevës ka thënë se ende nuk dihet, përveçse “po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”.

“Arrestimi dhe mbajtja në paraburgim e tre bashkëqytetarëve tanë është e papranueshme dhe kërkoj nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht për rastin e tyre, duke punuar me instancat kompetente për lirimin e tyre”, ka përfunduar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat