Bashkimi Evropian ka refuzuar propozimin e Kurtit për të cilin ai njoftoi dje popullin e Kosovës.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një deklarim për medie.
“Plani i tij (i Kurtit) 5-pikësh dështon që të adresojë në mënyrë adekuate disa elemente kryesore që shkaktuan – që janë shkaku kryesor i krizës së fundit, dhe të cilat presim që t’i adresojë në mënyrë të vendosur.” – u shpreh z. Stano.
Ai menjëherë më pas foli për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, disa prej të cilave po diskutoheshin ende e disa prej të cilave kishin hyrë në fuqi.
Kujtojmë se Kurti dje tregoi për planin pesë-pikësh i cili prëfshinte këto elemente:
Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.
Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.
Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.
Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.