Kelani: Njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë thellë brenda territorit të Kosovës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në thellësi të territorit të Kosovës ka ndodhur kidnapim klasik nga forcat serbe. Ai ka mohuar se zyrtarët policor të kidnapuar mesditën e sotme kanë qenë të njësiteve speciale. Sipas tij, zyrtarët kufitar kishin parë persona të dyshuar, të maskuar e të armatosur.
Në një konferencë të jashtëzakonshme, ai ka shtuar se për këtë kidnapim kanë njoftuar edhe KFOR-in, në mënyrë që të bëhet presion që zyrtarët policor të lirohen.
Kelani ka thënë se e dënojnë kidnapimin klasik të zyrtarëve policor nga forcat speciale serbe, brenda territorit të Kosovës.
Kelani: Njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë thellë brenda territorit të Kosovës
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrullës. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës dëshiron të theksoj se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, pra thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat e tyre zyrtare, që të parandalojnë kalimet ilegale, që të parandalojnë grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale në atë pjesë, që të parandalojnë grupet kriminale të kontrabandojnë dhe të shtijnë mallra të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se policët janë paqeruajtës, zyrtarë të cilët zbatojnë ligjin dhe në shërbim të vendit.
Ai gjithashtu ka shfaqur edhe një hartë se ku ka qenë e stacionuar njësia policore.
Tre zyrtarët policor të kidnapuar, Kelani ka thënë se kanë qenë në një pikë statike duke parandaluar krimin, kontrabandën dhe futjen e gjërave ilegale në territorin e Kosovës.
Kelani: Njësiti policor ka parë persona të dyshuar, maskuar dhe të armatosur
“Këtu mund të na shfaqin edhe hartën se ku ka qenë njësia policore statike në atë pikë, në një lokacion të cilin e mbulon pothuajse përafërsisht dy vite. Fillimisht njësiti policor, në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar kanë parë se në afërsi në atë lokacion kanë lëvizur apo qarkulluar persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur. E që dyshohet të kenë qenë forca të njësiteve speciale të Serbisë. Dhe menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar me asistencë në atë lokacion, ku me të arritur në atë lokacion kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo edhe tre zyrtarët policor kufitar. Policia e Kosovës përveç dërgimit të njësiteve në terren ka njoftuar edhe të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, ka njoftuar edhe KFOR-in, në mënyrë që të bëhet presion që zyrtarët policor të kthehen sa më parë dhe të lirohen të kthehen në Policinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Tutje, Kelani ka mohuar se zyrtarët e kidnapuar janë pjesë e njësiteve speciale.
Kelani: Është deklarim i rrejshëm i palës serbe
“Ata janë zyrtarë kufitar patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale. Pra, është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Sa i përket arritjes së vendit të ngjarjes, mund të them që njësiti i cili ka qenë në përbërje prej tre zyrtarëve, ka parë persona të dyshuar në formën, siç e thash të armatosur dhe të maskuar, dhe menjëherë ka dhënë informacionin për njësitë shtesë. Njësitet shtesë kanë shkuar menjëherë sa më parë që kanë mundur të arrijnë në atë lokacion, sepse ju e dini që rrethanat në brezin kufitar e vështirësojnë pak a shumë edhe lëvizjet e shpejta, mirëpo kanë mbërrirë në atë lokacion dhe kur kanë mbërrirë aty kanë gjetur vetëm veturën zyrtare dhe jo zyrtarët policor. Sa i përket çështjes se ata deklarojnë se janë në territorin e Serbisë dhe kanë marrë persona, siç ata i quajnë kriminelë dhe jo zyrtarë policor, unë dua të ju siguroj se ata janë tre zyrtarë policor të moshës së shtyrë, rreth 50 vjeçar apo edhe mbi 50-vjeçar të cilët kanë shërbyer për vite me radhë në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar Kelani në konferencë të jashtëzakonshme.
Më tej, Kelani ka shtuar se kidnapimi i zyrtarëve policorë dhe ndalimit të qytetarëve në Serbi tregon që Serbia është duke përdorur forma të ndryshme të realizojë qëllimet e saj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës ka theksuar se komunikimi mes Kosovës dhe Serbisë bëhet përmes mekanizmave ndërkombëtarë.
Kelani: Kemi lëvizur të gjithë mekanizmat që zyrtarët tanë të kthehen shëndosh e mirë
“Këtë ne e kemi shfrytëzuar këtë drejtë dhe kemi lëvizur të gjithë mekanizmat në mënyrë që zyrtarët tanë të kthehen shëndosh e mirë në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Kelani është pyetur edhe pse zyrtarët nuk kanë reaguar ndaj policëve serbë.
Kelani: Në rastet tjera zyrtarët policor në vetëmbrojtje kanë të drejtë të përdorin çdo mjet të mundshëm
“Çdo zyrtar policor i din detyrat e veta se si duhet të veprojë dhe si janë të përcaktuara edhe me ligj edhe si janë të përcaktuara me procedurë. Mirëpo, nganjëherë situata dhe forma e rastit të dirigjon ndryshe. Në këtë rast duke parë që ka qenë një veprim i organizuar dhe një kidnapim klasik ka ndodhur ky rast, ashtu siç ka ndodhur. Sepse në rastet tjera normalisht që zyrtarët policor në vetëmbrojtje kanë të drejtë të përdorin çdo mjet të mundshëm. Mirëpo, meqë thash ka ndodhur kidnapim klasik i organizuar”, ka shtuar ai.
I pyetur se në rast se do të kërkohet shkëmbimi i kriminelit serb, Llune, i cili është arrestuar ditën e djeshme, me zyrtarë policor të kidnapuar, Kelani ka thënë se Policia e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin në ruajtjen e rendit kushtetues dhe arrestimin e çdo personi të kërkuar.
Ai tha se kushtëzime të tilla, nuk janë në përgjegjësi të Policisë së Kosovës.
Kidnapim i tillë nga forcat serbe të cilat dëshirojnë ta mbajnë të destabilizuar Kosovën, siç ka theksuar Kelani, kishte ndodhur edhe në vitin 2011 ku ishin kidnapuar dy zyrtarë policor.