Analisti, Albinot Maloku ka deklaruar se nuk e ka pritur një qetësi të tillë të faktorit ndërkombëtarë karshi veprimeve të Serbisë në veri të vendit dhe arrestimit të sotëm të tre zyrtarëve kufitarë.
Madje Maloku tha se shpreson që ky të jetë rasti i fundit i këtij siç e quajti ai ”agresioni” të Serbisë.
“Sinqerisht nuk e kam pritë që faktori ndërkombëtarë sidomos në rastin e fundit, shpresoj të jetë i fundit i këtij agresioni që të kishte zanin e vet, ka një qetësi të madhe. Sot ju e patë, pat një vizitë të komandantit të KFOR-it në Beograd në takim me shefin e stafit të forcave të përgjithshme edhe me presidentin. Më pastaj pamë informacione që edhe KFOR-i, kontigjenti Italian veç paskan shku në Bare nga ku janë marrë ose rrëmbyer këta policë. Mirëpo unë po them prap do të duhej të kishte përveç fjalëve ose përqasjes fejsbukjane në kuptimin dënojmë ose të ngjashme, veprim konkret”, tha ai.
Tutje ai tha se ky mosreagim i faktorit ndërkombëtar karshi veprimeve të Serbisë po krijon irritim edhe te qytetarët e Kosovës.
“Mirëpo është hera e tretë ose e katërt me saktësi nuk mund të themi që faktori ndërkombëtarë nuk reagon në këto rrëmbime dhe krijohet një irritim i madh, sepse ose ky irritim mund të jetë edhe nga qytetarët patjetër sepse faktori ndërkombëtarë nuk është i gatshëm të bëjë këso reagime ndaj Serbisë kur dihet se faktor destabilizues është në rajon Serbia.”, shtoi ai.