Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) për t’ia pezulluar licencën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Në një reagim në Facebook, deputetja i drejtohet kryeministrit Albin Kurti, duke e falënderuar me ironi për heqjen e licencës për televizionin Klan Kosova.
Postimi i plotë:
I nderuar Kryeministër,
Faleminderit që ia hoqët liçencën Klan Kosovës. Kush ka nevojë për një televizion të paanshëm, me lajme kredibile dhe informuese?
Shoqëria kosovare nuk ka nevojë për një medium i cili i bashkon dhe i informon qytetarët për gjithçka të rëndësishme në këtë vend – e posaçërisht për Qeverinë.
Jo – le t’i mbajmë të gjithë qytetarët në errësirë, posaçërisht për zhvillimet e fundit dhe fatin e Kosovës.
Madje, ju inkurajoj që të vazhdoni me vendime të tilla edhe për mediat e tjera të pavarura e profesionale në vendin tonë.
Le të jetojmë të gjithë në errësirë, injorancë e lumturi. Mendimi kritik e i pavarur është krejtësisht i panevojshëm kur ekziston mendimi i Qeverisë dhe Kryeministrit për gjithçka.
Jo-sinqerisht,
Blerta
P.S. Larg duart nga mediat. Me Klan Kosovën!