Kryeministri Albin Kurti në konferencën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka thënë se kidnapimi i tre policëve ka ndodhur në vendin që është thellë në territorin e Kosovës dhe i cili është 1 km larg kufirit në njërën anë që i bie të jetë pjesa veriperëndimore pastaj 670 metra larg që i bie pjesa veriore kurse në pjesën jugore 500 metra.
Kurti ka shfaqur edhe fotografitë e rrugës së prerë në të cilën shihet qartazi se se nuk kanë mundur të kalojnë siç pretendon Serbia që paskan shkuar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar.
“Pra nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë. Kjo rruga e prerë këtu është bërë për t’i ndalur 16 shtigje ilegale të kontrabandës që janë bërë gjatë vitit të kaluar dhe nuk bëhet fjalë për kurrëfar kalimi të Policisë përtej kufirit të Serbisë e madje as përtej rrugës së prerë”, ka thënë kryeministri.
Në vendin e ngjarjes kryeministri tha se janë gjetur nga Policia dhe KFOR-i pikërisht në vendin e apostrofuar pranga e lidhëse të këpucëve të policëve.
Ai ka thënë se KFOR ende s’ka dalë me shpjegim zyrtar se ku është ky vend.
Sipas tij, kidnapimin e policëve e ka bërë Njësia speciale anti-terrorise që ata (serbët) e quajnë “Sai” dhe njësia ushtarake “Kobra”.