Gjenerali shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive shqiptare, që ishte paraparë të mbahej me 14 qershor.
Gjenerali ka akuzuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, se mbledhjen e anuloi me kërkesën “specifike” të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përcjell Bota sot.
Sipas tij, Rama është bashkuar me Serbinë, në luftën kundër popullit shqiptar.
Reagimi i plotë i Maralushës në Facebook:
Mbledhja e paraparë e dy qeverive shqiptare për 14 Qershor 2023 u anulua me një kërkesë specifike që Vuçiqi ia bëri Edi Ramës.
Qëllimi i Serbisë, ka qenë dhe është përçarja e popullit shqiptar. Thënia “Bashkimi është fuqi”, është tmerri më i madh në sytë e serbëve.
Serbia është duke ia arritur këtij qëllimi me ndihmën e Edi Ramës. Për mendimin tim, Rama e tregoi veten se është aleat fuqiplotë i Serbisë, në luftën përballë kombit dhe ekzistencës shqiptare në trojet e lashta shqiptare.
Para se të bënte zyrtarisht vendimin për anulimin e seancës së përbashkët ndërmjet dy qeverive shqiptare me kërkesën e Vuçiqit, Edi Rama u koordinua me Lajçakun dhe Borellin, që ishin origjantorët e këtij vendimi anti shqiptar.