Mëngjesin e së enjtes mblodhi Këshillin e Sigurisë.
E pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli në konferencë për media.
Para gazetarëve, shefi i ekzekutivit, edhe një herë përmendi një marrëveshje të cilën disa vjet më parë e kishte quajtur sekrete.
“Kufirin e ruan ushtria, në atë pjesë të vendit, ushtria është KFOR-i. Para një dekade ish-kryeministri Thaçi, ka dorëzuar një zotim të njëanshëm ku i thotë ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rassmusen, ku i thotë se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër”, tha Kurti.
Por, ish-koordinatori për dialogun Kosovë –Serbi, Avni Arifi, thotë se shefi i ekzekutivit, po vazhdon që fajin t’ua hedh qeverive të kaluara.
“Nëse ka qenë gabim dhe të tjerët kanë gabuar, i ka të gjitha instrumentet për ta anuluar çdo marrëveshje. I ka 2/3 në Kuvend dhe çdo marrëveshje mund ta anulojë. Mirëpo marrëveshjet me NATO0-n nuk janë marrëveshje për interesat të NATO-s. Por nga viti ‘99 e deri me sot i kanë shërbyer drejtpërdrejt interesit të qytetarëve të Kosovës”, tha Arifi.
E ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, thotë se kjo marrëveshje ishte domosdoshmëri e kohës.
“Letrës që i thirret i thirrët kryeministri i tanishëm të ish-presidentit Thaçi, ka qenë një domosdoshmëri e kohës. Në atë kohë Kosova nuk ka pas ushtri. Ka qenë FSK me mision emergjent. Ne ushtrinë e kemi formuar qysh me 2018”, thotë ai.
Koloneli në pension, ka treguar se në cilat raste mund të dërgohet FSK-ja në veriun e vendit.
“Kur mundet ushtria me u përdor? Sipas kushtetutës dhe ligjeve tek atëherë kur ka një agresion nga jashtë në territorin e RKS që cenon integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës. Te na është më mirë, sepse e kemi NATO-n. Nuk ka ushtri më e fortë se NATO, nuk është FSK më e fortë se NATO”
Ndërkohë në majin e vitit 2021, kryeministri Albin Kurti, pati deklaruar se këtë marrëveshje e ka dërguar në prokurori.