“Çfarë unë mendoj është se na duhet depërshkallëzim i situatës. Depërshkallëzimi nënkupton të flasësh me palën tjetër. Mos arrestoni, mos hyni në një luftë mediatike me njëri-tjetrin, të jeni të qartë, të jeni transparentë, por tash për tash ne shohim që të dyja palët po bëjnë të kundërtën. Për mua, po ashtu, është e papranueshme që pala serbe flet për akte terroriste, kur tre policë – nëse është e vërtetët apo jo – hyjnë pa dashje në anën tjetër të kufirit. Por prapë, ju duhet të vërtetoni faktet. Dhe unë nuk i kam faktet. I kam vetëm narrativat garuese të palëve”, ka thënë Rohde.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, e ka kualifikuar si një përshkallëzim tjetër midis Kosovës e Serbisë rastin e tre policëve të Kosovës, të cilët, sipas Qeverisë, janë kidnapuar të mërkurën nga njësitet speciale të Serbisë në veri.
Ai, në një intervistë për emisionin “Interaktiv”, ka theksuar se aktualisht nuk nevojiten përshkallëzime të tjera, por një sjellje prej burrështetasish nga të dyja palët.
Rohde ka bërë të ditur se për rastin po priten dëshmi nga ofruesit ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë – KFOR-i dhe EULEX-i, me të cilët ka thënë se janë duke u mbajtur kontakte. Ai, ndërkaq, është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në vend.
“Çfarë unë mendoj është se na duhet depërshkallëzim i situatës. Depërshkallëzimi nënkupton të flasësh me palën tjetër. Mos arrestoni, mos hyni në një luftë mediatike me njëri-tjetrin, të jeni të qartë, të jeni transparentë, por tash për tash ne shohim që të dyja palët po bëjnë të kundërtën. Për mua, po ashtu, është e papranueshme që pala serbe flet për akte terroriste, kur tre policë – nëse është e vërtetët apo jo – hyjnë pa dashje në anën tjetër të kufirit. Por prapë, ju duhet të vërtetoni faktet. Dhe unë nuk i kam faktet. I kam vetëm narrativat garuese të palëve”.
E si rrugë për depërshkallëzimin e situatës, ambasadori gjerman ka përmendur tri kërkesat e adresuara nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të adresuara në emër të 27 vendeve anëtare. Nga BE-ja është kërkuar që të bëhet largimi i kryetarëve nga objektet komunale në veri dhe që ata t’i ushtrojnë funksionet e tyre në objekte alternative; mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe largimin e njësiteve policore nga objektet komunale në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.