Tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot iu shqiptua masa e paraburgimit.
Policëve iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.
Ndërsa, avokati serb, Cedomir Stojkoviq, paraprakisht u shpreh se cilido qoftë vendimi për policët e Kosovës, ai është marrë personalisht nga Aleksandar Vuçiq.
Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.
Merren në pyetje policët e arrestuar të Kosovës
Në Prokurorinë e Lartë Publike në Kralevë po merren në pyetje tre policët e Kosovës, të cilët sipas autoriteteve në Beograd, janë arrestuar në territorin e Serbisë më 14 qershor.
Lajmin e kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Prokuroria e këtij qyteti në jug të Serbisë.
Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë akuzash rëndojnë mbi tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Autoritetet në Serbi të premten e 16 qershorit duhet të vendosin për trajtimin e mëtjemë të çështjes së arrestimit të tre policëve të Kosovës, pasi kanë kaluar 48 orë nga arrestimi i tyre.
Ky është afati ligjor në të cilin Prokuroria duhet të vendosë nëse do të propozojë masën e paraburgimit prej një muaji, dhe më pas gjyqtari të marrë vendimin.
Nëse një vendim i tillë nuk merret, policët e arrestuar duhet të lirohen.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.
“Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet të marrin hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën”, ka thënë një ditë më parë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Tre policët e rrëmbyer dalin para gjykatës në Kralevë të Serbisë
Tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga njësitë speciale serbe, R.Z., B.S. dhe M.S. ndodhen në Kralevë të Serbisë, ku momentalisht po zhvillohet seanca e tyre para Prokurorit të Lartë Publik.
Kështu ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkoviq.
“Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kralevë do të vendosë nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim prej 30 ditësh”, ka thënë ai.
Siç ka thënë ai, e gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadojnë 48-orët e “ndalimit policor”.
Tre policët shqiptarë janë rrëmbyer të mërkurën nga njësitë speciale ushtarake të Serbisë, teksa po patrullonin në territorin e Kosovës, gjegjësisht në zonën kufitare në Leposaviq.