Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova.
Abbott ka shkruar në Twitter se vendimi për licencën e biznesit të Klan Kosova, është ende subjekt ankimi.
“I kërkoj institucioneve përkatëse të mendojnë me kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e medias në Kosovë”, ka shkruar ai.
Paraprakisht ka reaguar edhe ambasada e ShBA-së në Kosovës, ku ka treguar se po e përcjellin nga afër këtë çështje.