Venera Xhoxhaj e cila ishte pjesë e ekipit të gazetarëve të dhunuar këtë të premte nga turmat Serbe në Leposaviç, tha për Euronews Albania se dhuna ndaj tyre ka qenë edhe më brutale nga çfarë është arritur të shfaqet.
Ajo tha se vetë ka marrë mjekime dhe ka disa lëndime të lehta ndërsa kameramani i cili u godit brutalisht nga protestuesit serb është ende nën kujdesin e mjekut, por për fat të mirë është në gjendje të qëndrueshme.
“Gjithçka ka ndodhur në momentin kur ministri Krasniqi ka dalë nga komuna e Leposaviçit. Protestuesit janë afruar, në fillim kanë filluar të brohorasin, më pas kanë goditur me mjete të forta, fillimisht ekskortën e ministrit.
Më pas ata janë larguar me shpejtësi. Sulmi ka qenë i rëndë dhe pamjet që u shpërndan janë shumë pak në krahasim me atë që ne përjetuam se sulmi ishte shumë brutal për gazetarët që qëndruan për të raportuar.
Aktualisht jemi në spitalin rajonal ku po na ofrohet ndihmë mjekësore, unë kam lëndime më të lehta dhe jam në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa kameramani që u qëllua në mënyrë brutale, po merr ndihmën mjekësore dhe mjekët kanë konfirmuar se gjendja e tij është e qëndrueshme”, tha gazetarja.