Ushtruesi i detyrës së OVL–UÇK’së, Faton Klinaku thotë se Kurti duhet ta refuzojë ftesën e Josep Borrell për takim me Vuçiqin, pasi ky i fundit po akuzon policët e Kosovës për posedim të paligjshëm të armatimit.
Sipas Klinakut, të vetmet takime në këto rrethana Kurti duhet t’i bëjë me opozitën dhe me përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së.
“Në këto rrethana kur Serbia t’i akuzon edhe policët e Kosovës për posedim të paligjshëm të armatimit, Kryeministri Kurti duhet që haptas ta thotë se e refuzon ftesën e Josep Borrell për takim me Vuçiqin në Bruksel.
Të vetmet takime në këto rrethana që Kurti duhet t’i bëjë, janë ato me opozitën dhe me përfaqësuesit e ShBA-së dhe BE-së. Në këto takime duhet që vendosmërisht Kosova t’i thotë bashkësisë ndërkombëtare se për t’u bërë zgjidhje e qëndrueshme duhet që në tryezë të bisedimeve të jetë edhe çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke filluar nga reciprociteti në të drejta me serbët e veriut të Kosovës”, shkruan Klinaku.
Sipas tij, nëse Kurti nuk e bën këtë ose nëse nuk ia pranojnë këtë opozita dhe ndërkombëtarët, më mirë të shkoj në shtëpi, por ta informojë publikun për këtë me qëllim që të dihet fajtori i mos-zgjidhjes së problemeve.