Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi tre policët e Kosovës, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe, tashmë po mbahen në paraburgim.
Kjo pas vendimit të Gjykatës së Kralevës, për t’i lënë në paraburgim, prej 30 ditësh, tre policët e Kosovës. Ajo që bie në sy është akuza me të cilën Prokuroria e Serbisë, ka vendosur t’i rëndojë policiët.
”Posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lënvëve shpërthyese”, thuhet ndër të tjera aty. Por meqë tre të rrëmbyerit, janë policë, ata natyrshëm do të kishin armë me vete.
Përveq kësaj ekziston marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, ku Kosova e Serbia ishin pajtuar që serbët lokal në veri të vendit të integroheshin së strukturën policore të Kosovës. Përveq tjerash aty shkruan se të njejtit edhe do të marrin pagë, vetëm nga Policia e Kosovës.
“Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t'i marrin vetëm nga Policia e Kosovës.” – thuhet aty.
Ndërsa akuza e cila po rëndon mbi policët, edhe sipas avokatit Çedomir Stojkoviq, është e pa bazuar juridikisht, pikërisht për shkak të marrëveshjes së Brukselit, ku Serbia njohu Policinë e Kosovës, rrjedhimisht armët e saj.
“Akuzimi i policëve të Kosovës për “armëmbajtje pa leje” është shkelje absolute e Marrëveshjes së Brukselit, 1/1, sepse me Marrëveshjen e Brukselit, Serbia e ka njohur Policinë e Kosovës si organizatë legale, e me këtë edhe armët e Kosovës. Policia si e ligjshme.” – ka shkruar avokati.
Çka thuhet në njoftimin e Gjykatës?
Në njoftimin e Gjykatës së Kralevës njoftohet se për policët është caktuar paraburgimi nga gjyqtari i çështjes, pas kërkesës së prokurorit, pikërisht për arsyet e lartëcekura.
“Me rastin e ngjarjeve të 14 qershorit 2023, në fshatin Gnjilicë, komuna e Rashkës, Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë më 16 qershor 2023 ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër të dyshuarve B.S. (1965), R.Z. (1975) dhe M.Sh. (1961) për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer nga një vepër penale ‘prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paautorizuar i armëve dhe lëndëve shpërthyese’ nga neni 348 paragrafi 4 lidhur me 2 lidhur me paragrafin 1 të. Kodit Penal…Sipas propozimit të prokurorit publik të Prokurorisë së Lartë Publike në Kralevë, gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Kralevë ka urdhëruar paraburgimin për të gjithë të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, më 14 qershor, tre zyrtarët policorë të Kosovës u kidnapuan në veri nga ana e Serbisë, një akt që ngjalli shumë reagime në Kosovë. Në lidhje me këtë tëmë kanë folur edhe zyrtarët e Kosovës, por edhe ata të Serbisë. Sigurisht, edhe ndërkombëtarët nuk kanë mbetur të heshtur për këtë çështje.
Reagimet për arrestimin e tre policëve
Departamenti i Shtetit të ShBA-ve, ka kërkuar lirimin e menjëherëshëm dhe pa kushte të policëve të ndaluar. Gjithashtu edhe vendet më të fuqishme evropiane, po e kërkojnë një gjë të tillë nga Serbia.
Në anën tjetër Kryeministri Albin Kurti tregoi versionin zyrtar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, që u vlerësua si akt i dhunshëm i Serbisë, duke thënë se kidnapimi i tyre erdhi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Milun Milenkoviqit, i njohur si Llune, e që dyshohet për vepra të ndryshme penale.
“Sot dëshiroj që të fillojë këtë fjalë timë në kuadër raportimit para Kuvendit të Kosovës, duke rikujtuar që situata në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës është rezultat i përplasjes së dy paradimgave, asaj të sundimit të kushtetushmërisë dhe ligjërshmisë dhe asaj të sundimit të grupeve krminale, të cilat kanë edhe primesa dhe premisa të fashizmit si ideologji e milicisë, si shprehje e dhunës ndaj institucioneve legjitime.” – tha në hyrje Kurti.
Tutje, në fjalimin e tij, shefi i ekzekutivit i kritikonte edhe ndërkombëtarët për mos reaagim, meqenëse reagimet erdhën më vonë.
“Unë kam pasur bisedime telefonike edhe mbrëmë me Gabriel Escobar, Jeffrey Hovenier dhe këtu po vi nga një takim i përbashkët me të gjithë ambasadorët, zv/ambasadorët e misioneve dhe diplomatët e tjerë. Ku gjerë e gjatë ua shpjeguam duke i informuar për dje dhe sot. Dhe, tash 30 orë nga kidnapnimi i tre policëve dhe ende nuk kemi deklaratë zyrtare dhe shpjeguese nga KFOR’i të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjeve ua shpreha edhe protestën time por edhe kërkesën për reagim urgjent”, ka thënë Kurti.
KFOR: Mbetet e paqartë vendndodhja e policëve në momentin e arrestimit
KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, ka njoftuar se nuk është i sigurt për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës gjatë momentit të arrestimit nga forcat serbe. KFOR-i ka thënë se bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.
"Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit", thuhet në komunikatën e KFOR-it për media.
Në komunikatën e KFOR-it, gjithashtu theksohet se të dyja palët duhet të respektojnë përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, përfshirë policinë kufitare.
“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës - përfshirë policinë kufitare - dhe KFOR-it”, thuhet aty.