Kurti: Situata në veri është e vështirë

Aktuale

Kurti: Situata në veri është e vështirë

Më: 18 qershor 2023 Në ora: 18:56
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në Ndërtesën e Qeverisë, një delegacion shumëpartiak të deputetëve të Parlamentit të Austrisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Kosovën, të shoqëruar nga ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Ai i falënderoi deputetët austriakë për vizitën dhe i njoftoi me qeverisjen dy vjeçare dhe mbi zhvillimet e fundit, me theks te progresi ekonomik dhe demokratik, dhe te situata në katër komunat në veri të vendit.

"Këto dy vite kanë qenë vite të rritjes dhe luftës kundër korrupsionit"-tha Kurti

Kryeministri nënvizoi rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja të cilat gjatë qeverisjes sonë janë dyfishuar, dhe të hyrat tatimore të cilat janë shtuar për 2/3.

Ai po ashtu iu referua raporteve ndërkombëtare si Transparency International, Projektit të Drejtësisë Botërore, Reporterëve pa Kufij e Freedom House, që vënë në pah rezultat e sundimit të ligjit dhe të avancimit të lirive dhe të drejtave.

Për sa i përket situatës në veri, kryeministri Kurti tha se ajo është e vështirë për shkak të Serbisë, e cila të mërkurën kreu akt agresioni mbi Kosovën, kur njësitë ushtarake e policore të Serbisë rrëmbyen tre policë të Kosovës në brendi të territorit të Republikës së Kosovës, me ç’rast ndau me ta dëshmitë që tregojnë qartë shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, të bëra publike në konferencën e përbashkët me ministrin Sveçla.

Në lidhje me ngjarjen e ditës së mërkurë, ai shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të reagojë dhe ta dënojë ashpër sjelljen dhe veprimin e Serbisë, duke i ftuar edhe deputetët që ishin prezentë, dhe të kërkohet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve nga Kosova.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat