Para disa ditëve tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit sot iu shqiptua masa e paraburgimit.
Policëve iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.
Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli.
Sipas tij, rrëmbimi i policëve është e papranueshme dhe paraburgimi është në kundërshtim më çdo ligj.
“Rrëmbimi dhe mbajtja e tre zyrtarëve policor të Kosovës është krejtësisht e papranueshme sepse këta zyrtar policor përveçse kanë qenë në territorin tonë, ata nuk kanë kryer asnjë vepër penale apo sulmi ndaj askujt. Edhe paraburgimi i caktuar për ta është në kundërshtim me çdo konventë apo ligj ndërkombëtar për arsyeje se ata nuk ishin dhe nuk janë kriminel por janë zyrtar që kujdesen për zbatimin e ligjit dhe parandalimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Më tej, ai thekson që ndërkomëbtarët duhet të vazhdojnë me thirrjet sikur tani për lirimin e policëve.
“Tanimë kemi edhe thirrjet nga Depertamenti i Shtetit të SHBA-ve për lirimin e pakushtëzuar të tre zyrtarëve policor, të Britanisë së Madhe e kështu më radhë. Mirëpo, përveç lirimit të menjëhershëm dhe pa kusht, presim nga bashkësia ndërkombëtare që të dënoj fuqishëm aktin e rrëmbimit të paligjshëm nga ana e Serbisë”, përfundoi Dugolli për “Bota sot”.