Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre zyrtarët policorë janë rrëmbyer nga Serbia brenda territorit të Kosovës dhe se ka dëshmi për këtë.
Sveçla ka thënë se ka “një diskrepancë mes pjesëtarëve të KFOR’it në terren dhe deklaratave politike të organizatës”, për këtë çështje.
“Këta tre pjesëtarë janë kidnapuar, rreth 1 kilometër brenda territorit të Republikës së Kosovës. Dëshmitë janë dhe dëshmitë janë mbledhur se bashku me hetues të KFOR’it dhe EULEX’it. Edhe ata janë në dijeni për këto dëshmi dhe fakte të cilat do të thotë qëndrojnë, janë të padiskutueshme.
Ekziston një, le të themi një diskrepancë mes pjesëtarëve të KFOR’it në terren dhe deklaratave politike të organizatës. Por, është e qartë se këta janë rrëmbyer dhe sidomos në fillim për ne ka qenë e çuditshme heshtja e KFOR’it lidhur me këtë, tash deklaratat e tyre po shkojnë duke u qartësuar”, ka thënë Sveçla në TV Klan.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të vendosë nëse do të marrë pjesë në një takim krize të thirrur nga Bashkimi Evropian, pasi të kuptojë për gjendjen e tre policëve të Kosovës, që po mbahen në burg në Serbi.
“Unë dua fillimisht të pres vizitën e [shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd] ambasadorit Jetish Jashari, në Kralevë, dhe vetëm më pas, kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë, që po mbahen peng, rob, në Serbi, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin [për pjesëmarrjen në takimin e Brukselit]”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Kurti tha se vizita e Jasharit është menduar për ditën e nesërme.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, në veri të Kosovës.
Policët e Kosovës janë nën masën e paraburgimit prej 30 ditësh në jugun e Serbisë. Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë ka urdhëruar kryerjen e hetimeve ndaj tyre.