Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë menjëherë policët e kidnapuar.
Kurti ka thënë se Serbia duhet ta ndalojë dezinformatën dhe t’i lirojë tre Policët e Kosovës, që u kidnapuan brenda territorit të Kosovës më 14 qershor.
Kurti ka thënë se është konfirmuar se policët e Kosovës janë kidnapuar dukshëm brenda territorit të Kosovës. Ai në konferencë për media tha se policët ishin duke ngrënë drekë kur u rrethuan nga forcat serbe.
“I bëjmë thirrje Serbisë t’i ndalojë dezinformatat dhe t’i lirojë menjëherë policët tanë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një konferencë të mbajtur të martën ka akuzuar Kurtin dhe ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se “po gënjejnë dhe se nuk ka pasur kidnapim”.
