Sot, Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë që dyshohet për krime lufte në Kosovë.
Sipas njoftimit, i arrestuari, i identifikuar me iniciale D.M, dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile.
Detaje më të hollësishme ka dhënë ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale.
Postimi në Facebook:
Pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës.
Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës.
Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit.
Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin.
Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë.