Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala sot ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Duke folur për situatën në terren në veri të vendit eksperti i sigurisë, Bedri Elezi tha se nëse AKI nuk ka raportuar në kohë reale Qeverinë e Kosovës, për pasojat që mund të krijohen, atëherë sipas tij, inspektori i AKI-së duhet të ndërmarrë veprime.
“Nëse Agjencia e Kosovës për Inteligjencë nuk e ka raportuar në kohë reale Qeverinë e Kosovës, nuk ka hartuar dokumente e raporte profesionale dhe pasojat që mund të jenë në Kosovë në fushën e sigurisë, atëherë inspektori i përgjithshëm i AKI-së duhet të ndërmarrë veprime”, deklaroi Elezi.
Madje sipas tij, në qoftë se kryeministri, Albin Kurti, do ishte mirë i informuar për pasojat në veri, atëherë do të kishte një implikim të Inspektoratit të Përgjithshëm të AKI-së.
Mbledhja e sotme u mbajt e mbyllur për media.
Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu, ka treguar se për dallim nga hera e kaluar, kësaj here ka kuorum për mbajtjen e këtij raportimi.