Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e vendimit për pezullimin e certifikatës së Klan Kosovës.
Kica-Xhelili ka vlerësuar se Agjencia për Regjistrimin e Biznesit në Kosovë (ARBK) është e stërmbushur me regjistra biznesesh, duke theksuar se mund të ketë gabime dhe lëshime.
Megjithatë, sipas saj, nuk justifikohet “një përndjekje shtrigash”.
“ARBK është e stërmbushur me regjistra biznesesh. Ka aksionarë nga çdo vend fqinj, Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Mali i Zi, me lloj lloj çertifikatash biznesi. Gabime mund të ketë. Lëshime gjithashtu. Asnjëra nuk e justifikon një përndjekje shtrigash.”, shkroi deputetja në Facebook.
Tutje ajo tha se “nëse synojmë ta shtrojmë një spastrim nga çertifikatat që përdorin gjuhë jokushtetuese, atëherë i bie MINT dhe ARBK-së të nisin një proces gjeneral përditësues.”
“Përndjekja individuale e cilitdo biznes, edhe për qëllim legjitim, delegjitimihet në sekondin që e shtron në rrafsh individual.”, u shpreh ajo.
“Ta shohim tani e tutje “vullnetin” me të cilin MINT do ta kërkoj një analizë gjenerale të të gjitha çertifikatave të biznesit të dorëzuara ndër vite për të konfirmuar kushtetutshmërinë e gjuhës së tyre.”. përfundoi ajo.