“Përplasje” në Kuvend/ Haradinaj “i ashpër” me LDK-në dhe PDK-në, Quni pyet Kurtin për betejat e humbura

Aktuale

“Përplasje” në Kuvend/ Haradinaj “i ashpër” me LDK-në dhe PDK-në, Quni pyet Kurtin për betejat e humbura

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 10:58 më 22.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Deliu-Kodra pret nga Kurti t’i kërkojë falje Blinkenit: Kemi më pak sovranitet, siguri dhe shtet

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka pasur kritika ndaj Qeverisë Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Deliu-Kodra, edhe një herë tha se PDK-ja kërkon që tre policët e rrëmbyer nga Serbia javën e kaluar, të lirohen menjëherë dhe pa kushte, pasi mbi ta rëndojnë akuza të pabaza.

“Thirrja jonë mbetet e njëjtë, lirimi i tyre menjëherë dhe pa asnjë kusht. Thirrje të tilla kanë bërë ShBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja. Roli i Shqipërisë vazhdon të mbetet i madh”, tha ajo në seancën plenare.

Mes tjerash, ligjvënësja opozitare theksoi se janë të shqetësuar me acarimin e raporteve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Sot si rezultat i qasjes aventureske, kemi më pak sovranitet, siguri, rend dhe shtet”, tha ajo.

Krejt në fund, ajo pret që Kurti t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, i cili pas tensioneve të krijuara në Veri tha se “ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në Veri dhe po rritë pasigurinë”.

“Kurti t’i kërkojë falje zotit Blinken për deklaratën e tij skandaloze. është e domosdoshme për aq sa i është kryeministër i Kosovës. Na mbetet përgjegjësia e madhe për t’u distancuar nga kjo gjuhë që ai tash e sa kohë po komunikon me partnerët”, tha ajo.

Kurti kishte shprehur pakënaqësitë e tij për këtë deklaratë të Blinkenit. Madje e kishte konsideruar si “zbutje” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, pati thënë Kurti më 30 maj, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”.

Ramadani falënderon gazetarët dhe kameramanët që po raportojnë në veri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, i ka falënderuar gazetarët për raportimin që po e bëjnë nga veriu i Kosovës, pavarësisht rreziqeve që po u kanosen.

“Në pamundësi për të shprehur mllefin ndaj policisë efikase kanë tentuar t’i dhunojnë ata që kanë raportuar mediatikisht për të vërtetën fizike”, ka thënë Ramadani në foltoren e Kuvendit.

“I përgëzoj të gjithë gazetarët e kameramanët që kanë mundësuar që me zë e figurë t’i vënë në pah elementet kriminale të individëve të dhunshëm që edhe janë arrestuar falë punës dhe bashkëpunimit me gazetarët”.

Ramadani tha se qeveria, policia dhe gazetarët po sigurohen që me punën e tyre ta sigurojnë suksesin e shoqërisë kosovare.

“Unë i inkurajoj gazetarët të vazhdojnë punë ne tyre të raportimeve të sakta dhe të drejta, për këtë e kanë mbështetjen e plotë timen si kryetar i komisionit për media, të qeverisë së Kosovës dhe të gjithë shoqërisë”.

“Aktet e dhunës janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme prandaj sot kryesit janë prapa grilave për çfarë meritore është policia jonë e jashtëzakonshme për nga aftësitë dhe profesionalizmi, me një qeveri të përkushtuar për sovranitet, gazetarë të guximshëm dhe të drejtë dhe me polici të pakompromis karshi kriminelëve jemi të bindur që si shoqëri dhe si shtet do të jemi të suksesshëm”.

Nis seanca me vonesë, deputetët shkuan pas thirrjeve të shpeshta të Konjufcës

Pas me shumë se gjysmë ore vonesë  ka nisur seanca e sotme e Kuvendi të Kosovës.

Kjo ndodhi për  shkak se një numër i madh i deputetëve kanë munguar dhe janë vonuar.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vazhdimisht u ka kërkuar deputetëve sot që të shkojnë më shpejtë në sallë për të nisur seancën.

Konjufca u bën thirrje deputetëve t’i shkojnë në sallë për të nisur seancën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët dhe shefat e grupeve parlamentare që të mblidhen të gjithë për të filluar seanca e sotme.

Kjo seancë kishte për të nisur në ora 10:00 dhe tani ka kaluar më shumë se gjysmë orë ende nuk janë të gjithë deputetët në sallë.

“Po vonoheni, ejani në sallë që të nisim seancën”, ka thënë Konjufca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat