Memli Krasniqi i PDK’së ka refuzuar që të shkojnë në takimin e thirrur dje për sot nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani për të folur rreth zhvillimeve të fundit dhe trazirave në veri. Lumir Abdixhiku i LDK’së ende nuk i është përgjigjur thirrjes për takim me shefen e shtetit.
Ftesës pozitivisht, nga opozita, i është përgjigjur veç Ramush Haradinaj i AAK’së. Ky del të jetë edhe “iniciuesi” i takimeve, sipas ftesës së dërguar nga Osmani tek liderët e partive politike.
Kreu i AAK’së, sot në ora 17:00 pritet t’i shkojë në takim Osmanit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen, për dallim nga Memli Krasniqi i PDK’së që e refuzoi thirrjen dhe Lumir Abdixhiku i LDK’së që s’ka dhënë ende përgjigje për ftesën.
Formati i takimeve, sipas ftesave që ka dërguar dje Presidenca, ka qenë “veç e veç” secila parti parlamentare në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK’së Memli Krasniqi ka njoftuar se nuk do t’i shkojë në takim Vjosa Osmanit me arsyetimin se Presidentja “qëndroi e heshtur karshi zhvillimeve të fundit”.
Nga LDK’ja të kontaktuar nuk kanë dhënë përgjigje, dhe jo zyrtarisht kanë treguar se madje “përgjigje” për ftesën e Osmanit drejtuar kreut të saj nuk ka marrë ende as Presidentja e vendit, pasi Abdixhiku s’është i vendosur ende në do të shkojë në takimin e thirrur në Presidencë.