Mehaj: Me Shqipërinë dhe me Kosovën në NATO, ardhmëria e sigurisë së shqiptarëve do të merrte garanci jetike

Aktuale

Mehaj: Me Shqipërinë dhe me Kosovën në NATO, ardhmëria e sigurisë së shqiptarëve do të merrte garanci jetike

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 11:09
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se gjatë këtyre 74 viteve të ekzistencës së NATO-s, intervenimi i saj më 1999 për ndaljen e gjenocidit të ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë, është operacioni më i madh i kësaj aleance deri sot.

Mehaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kjo e bën Kosovën një vend të rëndësishëm dhe krejt të veçantë në historinë e NATO-s.

“Aq më tepër që fushata 78-ditore e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, e çliroi përfundimisht Kosovën, duke i hapur rrugë shpalljes së pavarësisë së saj më 2008. Krijimi i Republikës së Kosovës si shteti më i ri evropian dhe si një vend me shtet ndërtim demokratik të suksesshëm, është treguesi më i fuqishëm se sa e drejtë ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, pasuar nga misioni i KFOR-it deri sot”.

“Kur u themelua më 4 prill 1949, Organizata e Traktatit Veri Atlantik u ndërtua nga 12 shtete. Përgjatë viteve, edhe 19 vende të tjera i janë bashkuar NATO-s, mes tyre edhe Shqipëria më 2009 si dhe Finlanda së fundi, duke shkuar në 31 numri i shteteve anëtare”, ka thënë Mehaj.

Tutje Mehaj u shpreh se Suedia është shteti i radhës që pritet tu bashkohet vendeve aleate në familjen e madhe të NATO-s, si vendi i 32-të.

E siç tha ministri në këtë vazhdë, Kosova mbetet e përkushtuar në punë përveçse këmbëngulëse në aspirata, për tu bërë eventualisht shteti i 33-të në NATO.

“Me Shqipërinë të parën në listë për nga emri si Albania dhe me Kosovën si potencialisht të 33-tën në NATO, ardhmëria e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare së shqiptarëve do të merrte garanci jetike”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat