“Nuk jam emocional ndaj së shkuarës së Kosovës”/ Pedagogu shpërthen ndaj Grenell: Zyrtarë të tillë trimërojnë tiranë si Vuçiq!

Aktuale

“Nuk jam emocional ndaj së shkuarës së Kosovës”/ Pedagogu shpërthen ndaj Grenell: Zyrtarë të tillë trimërojnë tiranë si Vuçiq!

Më: 24 qershor 2023 Në ora: 11:41
Richard Grenell gjatë takimit me Listën serbe

Pedagogu Gëzim Basha që jeton dhe punon në SHBA ka kritikuar ish-diplomatin e ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, teksa ky i fundit u shpreh se nuk ka ndjeshmëri ndaj plagëve të së shkuarës.

Basha tha se zyrtarë si Grenell, me mungesën e ndjeshmërisë ndaj spastrimit etnik, varreve masive, listës së të zhdukurve dhe përdhunimeve, e diskreditojnë diplomacinë amerikane duke trimëruar tiranë si Vuçiç.

“Në një intervistë me B. B. ish i dërguari special i Presidentit Trump për ndërmjetësimin midis Prishtinës dhe Beogradit, R. Grenell, duke pasur parasysh Luftën e Kosovës, u shpreh, “Ndryshe nga ju, unë jam krejt i pandjeshëm ndaj së kaluarës por emocional ndaj së ardhmes.”

"Nëse Grenell do ta bënte një deklaratë të tillë në Jeruzalem, mëngjesi i ditës tjetër do ta gjente jashtë Izraelit si person të padëshiruar dhe mediat amerikane do ta kryqëzonin atë si individ pa moral, dhe me mungesë ndjeshmërie ndaj Holokaustit. Në mjaft vende perëndimore mungesa e ndjeshmërisë ndaj Holokaustit konsiderohet krim dhe me të drejtë, trajtohet si i tillë.

Zyrtarë si Grenell, me mungesën e ndjeshmërisë ndaj spastrimit etnik, varreve masive, listës së të zhdukurve dhe përdhunimeve, e diskreditojnë diplomacinë amerikane duke trimëruar tiranë si Vuçiç për të mos kërkuar ndjesë për gjenocidin Serb në Kosovë.  E ardhmja nuk mund të ndërtohet me mungesë ndjeshmërie ndaj plagëve të së shkuarën.”-shkruan Basha.

Një ditë më parë ish-emisari i ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka qenë i ftuar në Intervistën e Buzhalës, ku ka folur për shumë gjëra, duke përfshirë edhe kriminelët serbë në ver dhe situatën atje.

Ndër të tjera Grenell tha se ishte  joemocional për të kaluarën dhe jam shumë emocional për të ardhmen

Tutje, Grenell arsyetoi qëndrimin e tij duke thënë se ai nuk ka lindur dhe nuk është rritur në rajon, dhe s’i ka emocionet e njëjta si të bashkëfolësit, apo edhe të tjerëve.

“Nuk jam lindur këtu. Nuk i kam emocionet e njëjta, siç i keni ti dhe të tjerët. Unë kam respekt të plotë për këtë dhe ndoshta do të shkoja aq larg, sa do të thosha se ju ndoshta e kuptoni goxha më mirë situatën se unë, por ka vlerë që t’i bësh njerëzit që nuk janë të lidhur me emocionet të shikojnë nga e ardhmja. Pra, a do të bëj unë gjëra që ju bëjnë të ndiheni jo rehat, për shkak se ju po shikoni nga e kaluara dhe po thoni: “Prit një minutë. Ti nuk e di se çfarë kanë bërë ata ose kushdo”?. E kuptoj këtë, e respektoj këtë dhe nuk dua që të dukem si shpërfillës ndaj kësaj, por unë dua që edhe ju të kuptoni se unë kam një dobi dhe se ju duhet ta shikoni dobinë që unë e sjell në tavolinë dhe e cila është: unë jam joemocional për të kaluarën dhe jam shumë emocional për të ardhmen.” – tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat