Shefi i diplomacisë së Bashkimit Euruopian, Josep Borrell tha se kishte një diskutim të gjatë për çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian.
Borrell tha se ministrat e jashtëm kërkojnë të gjendet një zgjidhje për krizën në veri dhe tha se pasi Serbia i liroi tre policët e Kosovës, hapi i radhës është të bëhet gjithçka për t’i mbajtur zgjedhjet e reja.
Ai tha se “shtetet anëtare do të marrin masa nëse është e nevojshme”.
“Shtetet anëtare mbeten të gatshme të marrin masa nëse nuk shihet përparim”, theksoi Borrell.
“Ne ramë dakord që zgjedhjet duhet të mbahen”, tha ndër tjerash Borrell pas diskutimit me ministrat e jashtëm të BE-së, dhe përmendi se në to duhet të marrin pjesë edhe serbët.
“Zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja. Dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët”, tha ai.
Borrell tha se shtetet anëtare kanë nënvizuar “shqetësimet e forta” për tensionet e vazhdueshme në veri.
“Shtetet anëtare, dua ta theksoj, shtetet anëtare nënvizojnë shqetësimet e forta për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës”, tha kryediplomati eurpian, duke transmetuar kërkesën e tyre për shtensionimin e situatës.
Ai përmendi edhe nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu.
Borrell ka raportuar para kryediplomatëve të shteteve të Unionit për zhvillimet e fundit në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas takimeve që i pati para një jave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.