Kurti takon Tony Blair, e falënderon për rolin e tij në çlirimin e Kosovës

Aktuale

Kurti takon Tony Blair, e falënderon për rolin e tij në çlirimin e Kosovës

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 23:45
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së sotme në Mbretërinë e Bashkuar e ka takuar edhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

I pari i ekzekutivit në një postim në “Twitter” ka thënë se gjatë këtij takimi e ka falënderuar Blairin për rolin që ai e ka luajtur në çlirimin e Kosovës nga okupimi dhe në ndërtimin e një shteti demokratik.

“Shumë i lumtur që pata mundësinë ta takojë ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. E falënderova për rolin e tij në përfundimin e okupimit të Kosovës, duke bërë të mundur që ne të ndërtojmë një shtet të vërtetë demokratik. E njoftova po ashtu për progresin e brendshëm dhe konstruktivitetin e Kosovës në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Kurti.

Roli i Tony Blair në çlirimin e Kosovës në vitin 1999 ishte shumë i rëndësishëm.

Ai në atë kohë ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar dhe ishte një ndër liderët kryesorë pro bombardimeve ajrore kundër forcave serbe të drejtuara nga Sllobodan Millosheviq në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat