U pyet se kush ndikoi në lirimin e policëve, kjo është përgjigja e zëdhënësit amerikan Matt Miller

Aktuale

U pyet se kush ndikoi në lirimin e policëve, kjo është përgjigja e zëdhënësit amerikan Matt Miller

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 22:14
Matt Miller

Të hënën, Serbia liroi tre policët e Kosovës të rrëmbyer më 14 qershor brenda territorit të Republikës.

Për këtë çështje pati shumë reagime, ndërsa u tha se për lirimin e tyre kontribuoi ish i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, bashkë me kryeministrin Edi Rama.

E gjatë ditës së sotme, në konferencën e rregullt me gazetarë të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Matt Miller, ky i fundit u pyet në lidhje me atë se kush ndikoi në lirimin e tyre.

Madje u pyet nëse ka qenë ndonjë ish-zyrtarë e ish-administratës amerikane, por Miller tha vetëm se është i lumtur që u liruan ata, dhe nuk komentoi më shumë.

“Nuk do ta vë veten në pozitë për të folur për ish-zyrtarë të administratës”, tha Miller, teksa shtoi se “edhe ashtu tash kam punë boll të madhe”.

“Do të flas për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ajo që bëmë ne është që kërkuam për lirimin e atyre tre zyrtarëve policorë”, tha Miller në këtë konferencë.

Ai tha se ShBA-ja është e lumtur me faktin se ata tre janë liruar. “Siç ndodh shpesh, suksesi ka njëmijë baballarë, dhe cilado që të ketë arsyeja që i bëri autoritetet t’i lirojnë ata tre zyrtarë policorë, ne jemi të lumtur që pamë të ndodhë kjo”, deklaroi Miller.

Për lirimin e tyre, komentoi edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili la të kuptohet se ishte pikërisht kërkesa e tij ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ajo që ndikoi në marrjen e vendimit lirues.

Ndërkaq, siç raporton “Pavlovic Today”, në takimin që Orban e zhvilloi me Vuçiqin në Beograd, i pari i kishte dhënë informata të dytit mbi pasojat potenciale nëse Serbia do të vendoste të mos i lironte policët kosovarë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat