Asamblistja në Kuvendin komunal në Mitrovicën e veriut, Aida Doli e ka quajtur lajm të mirë vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, që veprojnë në veri të vendit.
Doli tha se këto dy organizata përveç që kanë terrorizuar banorët e veriut, shqiptarë e serbë, ajo tha se ka edhe dëshmi që të njëjtit i kanë kërcënuar edhe gazëtarët shqiptarë që kanë raportuar për tensionet e fundit në veri.
“Dy organizata që kanë terrorizuar për vite të tëra banorët e veriut të Kosovës. Kemi edhe dëshmi se si këto organizata kanë kërcënuar edhe gazëtarët shqiptarë që kanë punuar këto ditë në Mitrovicën e veriut. Është një vendim mjaftë i duhur i Qeverisë së Kosovës.”, tha Doli.
Territor më i sigurtë për banorët e veriut pa dallim etnie, e gazetarët, tha Doli se do të jetë tani e tutje veriu i Kosovës.
Ajo tha se këto organizata kishin përdorur metoda të rrezikshme, që nga presionet ndaj qytetarëve të veriut për mosdalje në zgjedhje e deri tek protestat e dhunshme dhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Gjasat do të jenë më të mëdha që do të jetë një territor i sigurt. Do të ndjehet që do të fillojë një qetësi më e madhe për të gjithë banorët e veriut, pa dallim etnie. Nuk jemi terrorizuar vetëm ne si shqiptarë, por të gjitha komunitetet duke i përfshirë edhe serbët, duke i ditur metodat që i kanë përdorurë, presionin që ua kanë bërë qytetarëve për mosdalje në zgjedhje dhe thirrjet për protesta të dhunshme, e sidomos dhuna që është përdorurë ndaj KFOR-in.”, u shpreh Doli.